Ekspertë, politikëbërës dhe avokatë të rëndësishëm nga Evropa, të përkushtuar ndaj mirëqenies së fëmijëve dhe që kanë përvojë shumëvjeçare në planifikimin lokal për fëmijët së bashku me autoritetet lokale, akademikë, organizata të shoqërisë civile, të rinj dhe fëmijë nga vendi ishin folësit kryesorë në Konferencën ndërkombëtare “Krijo vendin tënd për t’u rritur”.
Kjo konferencë synonte të promovonte mjedise gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për fëmijët, duke ofruar informata mbi njohuritë, përvojat dhe praktikat më të mira në zbatimin e iniciativave të drejtuara kah fëmijët në të gjithë Evropën.
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse nga Marie-Madeleine Kanelopoulou, shefe e Departamentit për Çështje Ekonomike, Ndërtim Institucionesh dhe Bashkëpunim Ndërkufitar në Delegacionin e BE-së dhe Kristina Vasileska, Drejtoreshë e Qendrës për përkujdesje ndaj familjes dhe fëmijëve KMOP Shkup.
Në pjesën e parë të konferencës folën disa panelistë. Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Giovanni, iu referua aspekteve që mund të përmirësohen nga komunat për të qenë më miqësore me fëmijët, duke përmendur disa shembuj nga vendi.
Kryetari i Ambasadës së Parë të Fëmijëve në Botë, Megjashi, Dragi Zmijanac, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve në proceset vendimmarrëse.
Këshilltari për arsim në zyrën e kryetarit të Kisella Vodës dhe kryetarit të komunës së Vinicës, Mile Petkov, theksoi përkushtimin e komunave në përmirësimin e kushteve për rritje, zhvillim dhe prosperitet të fëmijëve, si dhe nevojën për mësim të ndërsjellë dhe shkëmbim të përvojave.
Asistent Prof. D-r. Angelka Keskinova nga Instituti i Studimeve Familjare në Fakultetin Filozofik ndau pikëpamjet e saj eksperte se si të krijohet një mjedis gjithëpërfshirës, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ndërkaq, Dimitar Georgiev, vullnetar dhe nxënës i shkollës së mesme në SHMQSH “Georgi Dimitrov”, foli për pjesëmarrjen e tij të mëparshme në vendimmarrjen lokale dhe dha ide se si komunat mund t’i përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë në vendimmarrje.
Sesioni kryesor i konferencës përfshinte prezantimin e rasteve studimore nga disa vende të BE-së. Ekspertët dhe përfaqësuesit Stavrula (Lina) Antara, UNICEF Greqia, Katerina Samali, Komuna e Katerinit nga Greqia, Julia Vogerbauer nga UNICEF Austria, Elisabeth Wenzl nga Instituti për Menaxhimin e Familjes dhe Karrierës nga Vjena, Heike Tafelmaier nga Komuna Krefeld nga Gjermania, të cilët kanë përvojë praktike në planifikimin lokal për fëmijët, folën për iniciativën e UNICEF-it për qytete kushtuar fëmijëve (Child-friendly Cities Initiative) në vendet e tyre.
Të rinjtë dhe fëmijët patën një rol udhëheqës në këtë konferencë ndërkombëtare, Jana Nikolovska, gjimnaziste në shkollën e mesme “Orce Nikolov” dhe vullnetare në APFB Megjashi, ishte moderatore dhe mikpritëse e manifestimit, së bashku me nxënësen Sara Tairi nga shkolla e mesme “Zef Lush Marku”. Matea Çankulovska, nxënëse e shkollës së mesme në SHMQSH “Nikola Karev” dhe vullnetare në APFB Megjashi, mbajti prezantim për projektin “Një Vend për t’u rritur” dhe të gjithë të rinjtë dhe fëmijët e pranishëm së bashku me përfaqësuesit e autoriteteve lokale nga Kisella Voda, Vinica, Gostivari, Velesi dhe Dibra, nga administrata e shkollave dhe nga sektori civil morën pjesë së bashku në një punëtori praktike për të krijuar vizionin e tyre për një “Komunë kushtuar fëmijëve”.
Kjo konferencë ofroi mundësi unike dhe të jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe mësuar nga përvojat dhe praktikat e pushteteve vendore drejtuese nga Bashkimi Evropian që i kushtohen fëmijëve, dhe në të njëjtën kohë për të ndarë vizionet, sfidat dhe mundësitë e komunave në vend në promovim, realizim dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konferenca shfaqi një platformë për të frymëzuar komunat në angazhimin e tyre për të krijuar komunitete lokale ku fëmijët do të jetojnë të shëndetshëm, të sigurt, të lumtur dhe të mbështetur.
Ngjarja u zhvillua më 25 tetor 2023 në hotelin “Holiday Inn” nga ora 9:30 deri në orën 14:00. Video transmetimin e konferencës mund ta ndiqni në këtë lidhje.