Fëmijët kanë të drejtë të dëgjohen dhe të drejtën të ndikojnë në çështjet me rëndësi për ta. Ata ndikohen drejtpërdrejt nga vendimet e marra nga drejtuesit lokalë në arsim, mjedis, kujdesin ndaj fëmijëve, mbrojtjen sociale, planifikimin urban, por shpesh përjashtohen nga vendimmarrja. Pjesëmarrja e fëmijëve në krijimin e komuniteteve të tyre lokale do të kontribuojë në krijimin e komunave që pasqyrojnë nevojat e tyre.
Nëpërmjet projektit “Një Vend për t’u Rritur: Komuna Kushtuar Fëmijëve”, përpjekjet e autoriteteve lokale për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe pjesëmarrjen e fëmijëve në planifikimin lokal do të forcohen në pesë komuna në Maqedoni: Vinicë, Dibër, Gostivar, Veles dhe Kisella Vodë. Projekti do të zbatohet nga Ambasada e Parë e Fëmijëve Megjashi dhe KMOP Shkup.
Për këtë qëllim, në fillim të projektit, më 21 shkurt, organizatat partnere organizuan takimin e parë të Bordit Drejtues, ku u miratua plani i punës së projektit, u formua Trupi Këshillëdhënës i projektit, u shqyrtua plani për sigurim të cilësisë dhe u përcaktuan hapat e veprimit për realizimin e aktiviteteve në 3 muajt e ardhshëm. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe do të zgjasë 30 muaj.